Si të regjistrosh biznesin tënd të ri
Pra ke vendosur që të nisësh një biznes, të hapësh një dyqan tregtar, një ordinancë, një kioskë apo çfarëdo biznesi tjetër nga i cili shpreson se do të krijosh të ardhura. Para se të fillosh me ushtrimin e këtij aktiviteti ekonomik ligji kërkon që biznesi të jetë i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.
“Veprimtaria Ekonomike në Kosovë mund të ushtrohet vetëm nga Shoqëritë Tregtare të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, përveç nëse është përcaktuar shprehimisht ndryshe me ligj”
Këto janë llojet e bizneseve të cilat mund të regjistrohen:
“Një Shoqëri Tregtare mund të themelohet në Kosovë si Biznes Individual, Ortakëri e Përgjithshme, Ortakëri e Kufizuar, Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar ose Shoqëri aksionare.
dhe këto janë procedurat për regjistrim.
Për regjistrimin fillestar të biznesit duhet:
- Të plotësosh formularin e aplikimit.
Për secilin lloj të biznesit ka formular aplikimi specifik (për persona fizikë apo për korporatë). Prandaj, aplikuesi duhet të përcaktohet se a do të aplikojë si person fizik (biznes individual, ortakëri etj.) apo si person juridik (korporatë). Më shumë informacioni në ligjin Nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare.
- Të dorëzosh aplikacionin për regjistrim në ARBK
Aplikuesi (ose personi i autorizuar) e dorëzon aplikacionin personalisht në ARBK-së, së bashku me dokumente të tjera të nevojshme.
Aplikacioni duhet të jetë i nënshkruar nga aplikuesi apo përfaqësuesi i autorizuar.
Ai/ajo identifikohet tek zyrtari ARBK-së nëpërmjet një dokumenti origjinal identifikimi.
Zyrtari i ARBK-së verifikon aplikacionin dhe dokumentet shoqëruese
Për regjistrim fillestar të biznesit nuk aplikohet taksë regjistrimit. Taksë paguhet vetëm nëse aplikuesi kërkon të bëjë ndryshime në biznesin ekzistues.
Regjistrimi i Biznesit Individual ose i Ortakërisë së Përgjithshme në ARBK parashihet të kryhet brenda 2 ditësh.
Dokumentet që nevojiten për të regjistruar një Biznes Individual (B.I.) ose Ortakëri e Përgjithsme (O.P.):
- Formulari B,
- Dokument identifikimi (letërnjoftim, pasaportë),
- Pëlqimin e Përfaqësuesit të regjistruar (nenit 24.5 pika d),
- Marrëveshjen e ortakëve të përgjithshëm, për Ortakëri të Përgjithshme (neni 31.1.3)
Dokumentet e nevojshme për regjistrim të Ortakërisë së Kufizuar (O.K.) –
- Formulari A0,
- Marrëveshja e shoqërisë (Neni 32.13),
- Statuti,
- Dokument identifikimi (letërnjoftim, pasaportë) kopje të pronarëve, përfaqësueseve të autorizuar të përfshirë në biznes,
- Pëlqimin e Përfaqësuesit të regjistruar (nenit 24.5)
Regjistrimi i Shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqërive aksionare në ARBK parashihet të kryhet brenda 3 ditësh.
Dokumentet e nevojshme për regjistrim të Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar (SH.P.K):
- Formulari A0,
- Marrëveshja e shoqërisë (Neni 82.1),
- Statuti (neni 33),
- Dokument identifikimi (letërnjoftim, pasaportë) kopje të pronarëve, përfaqësueseve të autorizuar të përfshirë në biznes,
- Pëlqimin e përfaqësuesit të regjistruar (neni 24.5)
Dokumentet e nevojshme për regjistrim të Shoqërive Aksionare (SH.A):
- Formulari A0,
- Statuti (Nenit 34.1.3)
- Marrëveshjen apo Rregulloren e Shoqërisë (Nenit 34.4),
- Pëlqimin e përfaqësuesit të regjistruar (neni 24.5)
- Dokument identifikimi (letërnjoftim, pasaportë) kopje të pronarëve, përfaqësueseve të autorizuar të përfshirë në biznes.
Dokumentet e nevojshme për regjistrim të Kompanisë se Huaj-Dega në Kosovë:
- Formulari A0,
- Vendimi për hapjen e Kompanisë së huaj,
- Vendimin për emërimin e Drejtorit (pasaporta kopje) dhe Përfaqësuesit të regjistruar (letërnjoftimi kopje),
- certifikatë apo ekstrakt regjistrimi (origjinal apo kopje e notorizuar, jo me e vjetër se tre muaj nga data e lëshimit në gjuhen shqipe, serbe apo angleze, i noterizuar) që e hap përfaqësinë në Kosovë,
- Kopje e pasaportit të pronarit dhe drejtorit të Kompanisë së huaj,
- Pëlqimin e Përfaqësuesit të Regjistruar (neni 24.5).
Pronari i biznesit mund të autorizojë aplikuesin që të dorëzojë dokumentet (nevojitet autorizimi dhe kopje e letërnjoftimit).