Paga minimale
Njerëzit janë të gatshëm të këmbejnë paratë e tyre me diçka që ata e vlerësojnë më shumë se sa paratë që i kanë. Anasjelltas, njerëzit janë të gatshëm të këmbejnë diçka të vlefshme për para nëse e vlerësojnë paratë më shumë se sa atë që e kanë. Shumica e njerëzve e këmbejnë kohën e tyre për para, dhe vendimi për ta këmbyer atë me para varet se sa e vlerësojmë paranë që na ofrohet në këmbim për kohën tonë, sigurisht nëse e kemi luksin për të zgjedhur mes angazhimit dhe pasivitetit.
Në ekonomitë e pazhvilluara në veçanti dhe ato në zhvillim, ku oferta për punë është shumë e madhe se sa kërkesa, dhe çmimi i pagës vendoset nga ndikimi i këtyre dy forcave, pa intervenime nga jashtë nga ana e shtetit apo çfarëdo autoriteti tjetër, gjasat që pagat të jenë padrejtësisht të ulëta janë të mëdha. Kjo vlen edhe për sektorë të veçantë edhe në ekonomitë e zhvilluara. Punëdhënësit kanë prirje që të mbajnë kostot e biznesit në minimum, në këto kosto hyjnë edhe pagat e punëmarrësve.
Prandaj paga minimale përdoret si instrument të cilin e përdorin qeveritë e vendeve të ndryshme në botë, si element të sistemit të mbrojtjes sociale. Me të, synohet të zbutet varfëria dhe ka për qëllim të plotësojë nevojat e punëmarrësve dhe të familjeve të tyre.
Vendosja e pagës minimale ka për qëllim të caktojë një prag, një nivel, nën të cilin pagat e punëmarrësve nuk duhet të bien. Pra është minimumi i kompensimit që punëdhënësi ia jep punëmarrësit për punën ose shërbimin e kryer.
Përcaktimi i nivelit të pagës minimale bazohet në standardin e jetesës, prandaj paga minimale konsiderohet se i kontribuon zbutjes së varfërisë dhe vendosjes së drejtësisë sociale duke përmirësuar jetën e grave dhe të burrave që punojnë me paga të ulëta.
Në Kosovë paga minimale është sanksionuar me ligj në vitin 2010, në kuadër të Ligjit të Punës. Qeveria e Kosovës në vitin 2011 me vendim qeveritar caktoi pagën minimale në dy nivele, varësisht prej moshës së të punësuarit – 130€ për personat nën moshën 35 vjeçare dhe 170€ për personat mbi moshën 35 vjeçare.
Në këtë nivel është paga minimale në Kosovë edhe sot pas 12 vitesh. Ngritje e pagës minimale në 210€ ishte propozuar në vitin 2016 por Qeveria nuk e miratoi. Pastaj në vitin 2017 ishte propozuar që paga minimale të ngritët në 250€ përsëri Qeveria nuk e miratoi edhe pse me ligjin e punës parashihet që paga të shqyrtohet për çdo vit.
Kur përcaktohet niveli i pagës minimale, një ndër faktorët që duhet të merret parasysh është kostoja e shpenzimeve jetësore.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit Janar 2011 – Shtator 2020 (2015=0), ndryshimet vjetore të çmimeve në përqindje
Grafiku tregon se ka pasur inflacion, gjegjësisht çmimet e konsumit janë rritur vit pas viti. Prej vitit 2011 deri në vitin 2020 inflacioni ka shënuar rritje me 9.1%. Inflacioni dihet se i zhvlerëson pagat, sidomos pagat fikse, d.m.th fuqia e blerëse e pagës bie proporcionalisht me rritjen e inflacionit. Ndërsa paga minimale ka mbetur po ajo që ka qenë në vitin 2011. Shtoji kësaj edhe inflacionin e fund vitit 2021 dhe fillim vitit 2022 dhe lehtë arrijmë në përfundim se fuqia blerëse e pagave ka rënë në mënyrë drastike.
Në dritën e këtyre fakteve mund të përfundojmë se paga minimale patjetër duhet të rritet sepse, pavarësisht se a do të ketë efekt në shpenzimet e shtetit apo jo. Kjo me qëllim të rritet mirëqenia e punëmarrësve shumë prej të cilëve nuk kanë pasur rritje në pagë për së paku 10 vitet e fundit.