Login

Lost your password?
Don't have an account? Sign Up

Si e kapitalizon tregu një kompani?

Opinion nga: Arben Selimi
arben@thejournalbiz.com

Aksioni i kompanisë së Elon Musk-ut, Tesla, me 4 nëntor 2021, u shit me çmimin 1243.49 dollar, më i larti në historinë e saj. Vetëm një muaj më herët, për herë të parë kompania kishte arritur kapitalizim në treg prej 1 trilion dollar, me çka u rendit në mesin e kompanive të pakta, si Apple, Microsoft, Alphabet dhe Amazon,  që kanë vlerë në treg mbi 1 trilion dollar.

Kapitalizimi në treg (ose vlera e tregut) është një prej metodave që investitorët e përdorin për të matur madhësinë e kompanive që tregtohen publikisht. Për të llogaritur vlerën e tregut të kompanisë, merren të gjitha aksionet e kompanisë që janë qarkullim dhe shumëzohen me çmimin aktual të aksionit. Pra vlera e  kompanisë varet nga çmimi i aksionit në treg dhe rritet/ulet në proporcion me rritjen/rënien e çmimit të aksionit. Nëse çmimi i aksionit të kompanisë bie, kapitalizimi i tregut të saj do të bie, dhe anasjelltas, nëse çmimi i aksionit rritet, rritet edhe kapitalizimi i tregut të saj nën supozimin se numri i aksioneve në qarkullim mbetet i pandryshuar.

Për investuesit e zakonshëm nuk është e lehtë të përcaktohet se në çfarë momenti kompania Tesla e kaloi pragun prej 1 trilion për shkak se të dhënat për numrin e aksioneve në qarkullim janë në dispozicion vetëm në baza tremujore. E gjatë një periudhe tremujore kompania mund të rrisë numrin e aksioneve, duke emetuar aksione të reja investitorëve të rinj, ose mund ta zvogëlojë numrin e aksioneve duke i blerë vet aksionet e veta.

Investitorët që mbajnë aksione preferenciale me të drejtë shndërrimi në aksione të zakonshme mund ta ushtrojnë këtë të drejtë dhe kështu ta rrisin numrin e aksioneve në qarkullim. E në anën tjetër kompania mund të ketë tepricë të parave të gatshme të cilat mund të mos ketë nevojë të investojë prandaj i blen aksionet e veta.

Përndryshe formula për të llogaritur kapitalizimin e tregut është e thjeshtë. Ju duhen vetëm dy të dhëna: numri i aksioneve të emetuara dhe çmimi aktual i aksioneve.  Vetëm shumëzoi së bashku dhe ja, kapitalizimi i kompanisë në treg.

Nën supozimin se numri i aksioneve në qarkullim ishte 1,004,264,852 aksione (siç kishte deklaruar në raportin financiar të tremujorit të tretë) atëherë çmimi i aksionit në ditën kur Tesla arriti vlerën prej 1 trilion dollar do të duhej të ishte rreth 996 dollar.

Pse dhe si e përdorin investitorët kapitalizimin e tregut?

Kur investitorët shqyrtojnë mundësinë për të blerë ose jo aksione, zakonisht e marrin parasysh rrezikun që e shoqëron blerjen si dhe rritjen e mundshme të çmimit të aksioneve. Madhësia e kompanisë duhet pasur parasysh për shkak se është indikator që tregon se sa ka kompania potencial për rritje në të ardhmen si dhe tregon sa ka rrezik që të dështojë. Në përgjithësi, investitorët vlerësojnë se kompanitë e me kapitalizim të ulët kanë më shumë potencial për rritje (Tesla kishte filluar me 13.3 milion aksione me çmim 17$/aksion) por në anën tjetër ekziston rreziku i lartë i dështimit për shkak se janë të panjohura për tregun, me gjasë janë kompani të reja ose veprojnë në treg ku konkurrenca është shumë e lartë. Ndërsa tek kompanitë me kapitalizim të lartë investitorët s’presin kushedi çfarë rritje, por janë më të sigurt se gjasat që kompania të dështojë janë shumë të vogla, bile edhe kur ekonomia e merr teposhtën. Përveç kësaj, kompanitë e tilla kanë konkurrencë të ulët apo s’kanë fare konkurrencë.

Vendimi për investim në një kompani apo në një tjetër mund të mos jetë vendim i duhur nëse i marrim për bazë vetëm çmimet e aksioneve të tyre. Nëse nuk i merrni parasysh specifikat e strukturës së kapitalit të kompanive që po i krahasoni, atëherë kapitalizimi i tregut të jep mundësinë të bësh krahasim të madhësisë relative të njërës kompani kundrejt tjetrës. Për shembull, çmimi i aksionit të kompanisë zvicerane Nestle aktualisht është 132 dollarë ndërsa ai kompanisë amerikane Home Depot është 349 dollarë për aksion. Edhe pse ka çmim shumë më të lartë, Home Depot ka kapitalizim të tregut afërsisht 364.54 miliardë dollarë, afërsisht e njëjtë me atë të Nestle 365.66 miliardë dollarë. Pra, edhe pse për nga madhësia ngjasojnë, për nga çmimi i aksionit kanë dallim të madh, i pari ka gati trefish çmim më të lartë se ky i fundit që do të thotë se në të parën mund të blesh më shumë aksione, dhe me gjasë do të kesh më shumë hise në “pite”.

Kapitalizimi i tregut ka edhe kufizime.  Ai nuk e matë vlerën e ekuitetit të kompanisë. Çmimi i tregut në të cilin bazohet kapitalizimi nuk pasqyron patjetër se sa vlen me të vërtetë kompania. Tregu shpesh i mbivlerësohen ose nënvlerësohen aksionet, prandaj çmimi i tregut e shpreh vetëm se sa janë të gatshëm investitorët të paguajnë për aksionet e kompanisë së caktuar, e jo sa është me të vërtetë vlera e kompanisë. Vetëm përmes një analizë të plotë të pasqyrave financiare të kompanisë mundemi të përcaktojmë se sa në të vërtetë është vlera e ekuitetit dhe e kompanisë në tërësi. Kjo në komunitetin e investitorëve njihet si analizë fundamentale.

Si e strukturojnë investitorët portofolin duke u bazuar në kapitalizim të tregut?

Shumë investitorë në portofolin e tyre mbajnë aksione të kompanive të të gjitha madhësive bazuar në kapitalizim të tregut. Ata e bëjnë këtë sepse besojnë se kjo u jep mundësi për fitime më të mëdha pasi që historikisht kompanitë më kapitalizim të ulët janë rritur shpejt, ndërsa kompanitë më kapitalizim të lartë janë më të qëndrueshme dhe paguajnë më shumë në dividentë.

Më poshtë janë tri llojet e kompanive të kategorizuara sipas kapitalizimit të tregut. Me gjasë do t’ju duhen një ditë kur të filloni të investoni.

  • Kapitalizim i ulët: kompani me kapitalizim të tregut prej $ 300 milion deri në 2 miliard dollarë,  kompani relativisht të reja që kanë potencial të lartë të rritjes. Mirëpo janë edhe më të ndjeshme ndaj konkurrencës.
  • Kapitalizim i mesëm:  kompani me kapitalizim të tregut prej 2 deri 10 miliardë dollarë. Këto kompani konsiderohen më pak të rrezikshme se kompanitë me kapitalizim të ulët, por më të rrezikshme se ato me kapitalizim të lartë.
  • Kapitalizim i lartë: kompani me kapitalizim të tregut prej 10 miliardë dollarësh e më shumë. Këto janë kompani të qëndrueshme që zakonisht ofrojnë pagesa të vazhdueshme të dividentës dhe çmimi i aksionit të tyre përgjatë kohës zakonisht nuk luhatet shumë.

 

 

shkruar nga :arben@thejournalbiz.com
*redaktori përgjegjës për këtë Opinion: arsim@thejournalbiz.com