Login

Lost your password?
Don't have an account? Sign Up

Volkswagen Group ndërton kompani për biznesin e vet të baterive

Në vazhdën e përpjekjeve për të konsoliduar zinxhirin e prodhimit të automjeteve elektrike, Grupi Volkswagen (GVW) ka nisur themelimin e një kompanie për prodhimin e baterive. Aktivitetet e kësaj kompanie do të shtrihen në të gjitha fazat e prodhimit, që nga përpunimi i lëndëve të para, deri te zhvillimi i një baterie të unifikuar Volkswagen, deri tek administrimi i fabrikave gjigande evropiane. Ky është një model i ri i biznesit në Volkswagen që përfshin ripërdorimin e baterive të vjetra të veturave dhe riciklimin e tyre për të përftuar lëndë të para nga to. Kësisoj grupi VW jo vetëm që po krijon struktura efikase por edhe të qëndrueshme në biznesin e baterive i cili po kalon nëpër një rritje të shpejtë. Bazuar në AUTO strategjinë E RE, Grupi Volkswagen po synon të kryesojë në prodhimin e automjeteve elektrike në nivel global. Në pajtim me këtë synim strategjik, Grupi VW po i zgjeron aktivitetet që kanë të bëjnë me bateritë dhe po i fut në radhën e kompetencave të veta kryesore.

Thomas Schmall, anëtar i Bordit Menaxhues për teknologjinë në Volkswagen AG dhe Kryeshef Ekzektiv i Volkswagen Group Components, dhe si rrjedhim përgjegjës për bateritë, mbushjen dhe energjinë, si dhe për prodhimin vendor të komponentëve, thotë: “Ne duam të u ofrojmë klientëve tanë bateri të fuqishme, të lira dhe të qëndrueshme për automjete që do të thotë se ne duhet të jemi aktivë në të gjitha fazat e zinxhirit të vlerës së baterive të cilat e përcaktojnë suksesin. Tani po bashkojmë fuqinë tonë në Salzgitter, me synimin për të inkurajuar inovacionin dhe për të siguruar mbështetjen e partnerëve më të mirë për kompaninë tonë të re në vazhdim. Ne tashmë kemi një ekip të fortë të angazhuar për bateri në Salzgitter që përbëhet nga 500 punonjës nga 24 shtete – dhe ne po vazhdojmë ta forcojmë këtë ekip në nivel drejtues.”

Nën menaxhimin e shefit të baterive Frank Blome, Soonho Ahn do të marrë një rol udhëheqës në zhvillimin e qelizave të baterisë. Pas emërimeve në LG dhe Samsung, posti më i fundit i Ahn ishte si Shef Global i Zhvillimit të Baterive në Apple. Kai Alexander Müller i Barclays Investment Bank, Londër, gjithashtu do të kalojë në Salzgitter, ku do të kontribuojë me përvojën e tij financiare në tregun e kapitalit dhe në hulumtime në kapital.

Volkswagen po planifikon të ndërtojë gjashtë fabrika gjigante në Evropë si përgjigje ndaj kërkesës në rritje për bateri brenda Grupit. Prodhimi i baterive në Salzgitter pritet të nisë në vitin 2025. Në fazën fillestare, fabrika parashikohet të ketë një kapacitet vjetor prej 20 gigavat orë me plan për t’u dyfishuar në 40 gigavat orë në një fazë të mëvonshme. Bazuar në planin aktual, Grupi Volkswagen po investon shumë për zhvillimin e prodhimit të baterive në Salzgitter. Gjithsej 2 miliardë euro janë ndarë për ndërtimin dhe funksionimin e fabrikës Salzgitter deri në fillimin e prodhimit.

Në prodhimin e baterive në Salzgitter pritet angazhohen më shumë se 2,500 njerëz të cilët kryesisht do të transferohen nga uzina e motorëve Salzgitter-it, pas një trajnimi që do t’i nënshtrohen për të aftësuar për kryerjen e punës së re. Në mesin e stafi ka të atillë që vijnë me ekspertizë – për shembull në planifikim apo logjistikë – që do të thotë më pak nevojë për trajnime. Nëse ekspertiza që sjellin ata nuk i mbulon të gjitha pozitat në fabrikë stafi do të plotësohet përmes rekrutimit të stafit të ri nga jashtë.

Në këtë fabrikë në Salzgitter, Saksoni e Ulët, do të bëhet zhvillimi, planifikimi dhe kontrolli i prodhimit, të tria në një vend, dhe kështu fabrika do të bëhet qendra e baterive të Grupit Volkswagen i cili po bën plane për të ndërtuar edhe fabrika tjera gjigande në Spanjë dhe vendet e Evropës Lindore. Mirëpo deri në gjysmën e parë të vitit 2022 nuk do të dihet saktë se në cilat vende do të vendosen fabrika e tretë dhe katërt. Deri në vitin 2030 Volkswagen synon të hapë edhe dy fabrika tjera të baterive në Evropë.

Paralel me zhvillimin e këtyre pesë gjigantëve, start-up-i suedez Northvolt AB – në të cilin Volkswagen mban rreth 20 për qind të aksioneve – do të ndërtojë një fabrikë në Skellefteå në Suedinë veriore. Duke  filluar nga viti 2023 kjo fabrikë do të prodhojë bateri për segmentin e automobilave premium. Northvolt dhe Grupi Volkswagen janë partnerë të kamotshëm në fushën e baterive premium.

Para pak kohësh GVW bëri marrëveshje partneriteti strategjik me Umicore dhe 24M, si dhe një marrëveshje afatgjatë furnizimi me Vulcan Energy Resources. Partneritetet shërben për të zhvilluar njohuri në teknologjinë e baterive dhe për të optimizuar menaxhimin e kostos.

Me këto veprime Volkswagen po prinë në industrializimin e teknologjisë së baterive në secilin nga nivelet e zinxhirit të vlerës. Grupi Volkswagen po zbaton strategji gjithëpërfshirëse elektrike në industrinë globale të automobilave. Planet për të investuar rreth 52 miliardë euro, gjatë pesë viteve të ardhshme, në zhvillimin dhe prodhimin e automjeteve të reja elektrike përfshijnë fushat që nga zhvillimi i  baterive, mbushja deri te energjia.