Login

Lost your password?
Don't have an account? Sign Up

Zara e ka emëruar vajzën 37 vjeçare të themeluesit kompanisë si drejtore të bordit

Kompania e shitjes me pakicë të veshjeve, Zara e ka emëruar vajzën 37 vjeçare të themeluesit kompanisë si drejtore të bordit. Me këtë emërim 37-vjeçarja Marta Ortega Perez, emër pothuaj i panjohur për industrinë e modës, bëhet drejtuesja më e re e një prej zinxhirëve më të mëdhenj të modës në botë.

E bija e miliarderit Amancio Ortega, njëkohësisht aksionar që mban shumicën e aksioneve të kompanisë Inditex SA (aksionet e së cilës në bursë mbajnë shkurtesën ITX), do të fillojë punën e saj të re në prill të vitit 2022. Ajo do të zë vendin e Pablo Isla, nën drejtimin e të cilit kompania pati zgjerim global.

Emërimi i znj. Ortega Perez erdhi pas një riorganizimi më të gjerë të pozitave menaxhuese, kur krye-shefi e ri ekzekutiv u zgjodh Oscar Garcia Maceiras, aktualisht këshilltar i përgjithshëm dhe njëkohësisht figurë e re në kompani, pa përvojë të mëparshme në modë.

Çmimi i tregut të aksioneve të Inditex në Madrid ra me më shumë se 6% sapo u plasua ky lajm.

Megjithëse zonja Ortega Pérez aktualisht nuk mban asnjë pozitë në Inditex, kompania tha se gjatë 15 viteve të fundit ajo ka punuar në fusha të ndryshme të biznesit. Angazhimin e saj në kompani ajo e filloi si shitëse në një dyqan Zara në Londër menjëherë pasi e kishte marrë diplomën universitare. Inditex tha se që atëherë ajo kishte punuar në forcimin e imazhit të markës Zara dhe propozime të modës, dhe këtë fushë ajo do të vazhdojë ta mbikëqyrë.

Ortega, themeluesi biznesit që më vonë do të quhej Inditex në 1963, u tërhoq nga pozita drejtuese në kompani para një dekade. Megjithatë, ai ende zotëron më shumë se 59% të biznesit, si dhe anëtarët e tjerë të familjes zotërojnë aksione shtesë në kompani.

Në marrjen e postit të krye-shefit ekzekutiv, z. García Maceiras do ta zëvendësojë Carlos Crespo-n, i cili mori drejtimin në vitin 2019. Z. Crespo tani do të kthehet në pozitën e tij të mëparshme si shef operativ me fokus operacione, qëndrueshmëri dhe iniciativa dixhitale të kompanisë.

Garcia Maceiras, i cili u bë pjesë e Inditex në fillim të këtij viti, në të kaluarën ka qenë avokat shtetëror në Spanjë dhe ka punuar në disa institucione financiare spanjolle.

Riorganizimi i Inditex, i cili ka më shumë se 6,600 dyqane në 96 tregje në botë, vjen si reagim ndaj ndikimit të pandemisë dhe nevojës për kalim në shitje on-line.

Kompania, që gjithashtu përfshin markat Massimo Dutti dhe Bershka, ka performuar më mirë se rivalët e saj kohëve të fundit, pasi që masat anti-Covid-19 u lehtësuan në disa nga tregjet ku ajo operon. Përveç kësaj, zinxhiri i furnizimit të Inditex është i përqendruar në Evropë dhe Lindjen e Mesme, gjë që e ka mbrojtur atë nga ndërprerjet në Azi që kanë prekur tregtarët tjerë.

Megjithatë, zonja Ortega Perez dhe krye-shefi i ri i kompanisë do të sfidohen shumë për të zëvendësuar z. Isla. Pavarësisht se u vonua me nisjen e shitjeve on-line, Inditex – kryesisht nën udhëheqjen e z. Isla – qysh atëherë pat arritur sukses në bashkimin e dyqaneve të veta fizike me operacionet on-line.

Isla pat thënë se adaptimi i ngadalshëm i shitjeve dixhitale në fund i ishte në të mirë të kompanisë, sepse i dha kohë për të zhvilluar një model biznesi që e pozicioni atë më fort në treg.