Login

Lost your password?
Don't have an account? Sign Up

Blerja e aksioneve

Op/Ed nga: Arben Selimi

Kohëve të fundit banka qendrore e ShBA-ve, FED-i, është duke ngritur normat e kamatës, si përpjekje për të ndalur vrullin e inflacionit të paparë me dekada në ShBA. Norma e lartë të kamatës i ka dy efekte; i pari është se e frenon shpenzimin, njerëzit marrin më pak kredi për konsum e për investime. Efekti i dytë është ri-shpërndarja e kapitalit në ekonomi. Investitorët e tërheqin kapitalin që e kanë investuar në aksione dhe priren ta orientojnë drejt obligacioneve, tani që obligacionet paguajnë norma më të larta të kamatës.

Prandaj po vërehet një rënie në çmimet e të gjitha aksioneve. Edhe pse gjatë dy viteve të fundit pothuajse të gjitha aksionet ishin të mbiçmuara nevojitet edhe një kohë deri sa çmimi i tyre të normalizohet për të reflektuar vlerën e vërtetë të kompanive përkatëse.

Çmimi i aksioneve ishte rritur papritmas, menjëherë pas masave anti-covid që i imponuan qeveritë e pothuaj të gjitha shteteve në botë. Në ShBA p.sh. mbyllja e kishte çrregulluar ekonominë, e kishte minimizuar aktivitetin ekonomik në shumicën e sektorëve me përjashtim të sektorit financiar, gjegjësisht bursave të aksioneve. ShBA-ja, përmes huazimit nga FED-i, u kishte shpërndarë qytetarëve të vet shuma të mëdha të parave  në formë të asistencës gjatë mbylljes.

Amerikanët gëzonin një mirëqenie më të mirë në çdo aspekt gjatë kësaj kohe, me përjashtim lirisë së lëvizjes. Duke qenë të mbyllur ata s’kishin shumë alternativa ku t’i shpenzonin paratë që i kishin marrë në formë të asistencës, prandaj i shpenzonin në dëfrim shtëpiak. Netfilx mori përpjetën mu në këtë kohë, “s’ke çka bën- shiko filma”. Prapë se prapë njerëzit kishin ende shumë para nëpër duar e këto para e gjetën rrugën për në tregjet financiare. Me një llogari bankare dhe me një shkarkim të aplikacioneve ndërmjetësuese me bursën (p.sh. robinhood) secili ishte në gjendje që të investojë në aksione.

Në ditët e para të pandemisë aksionit ishin mjaft të nënvlerësuara për shkak se investitorët i kishte kapluar frika nga pasojat e panjohura që mund të sillte covid. Çmimi i ulët i tyre i tërhoqi shumë investitorë me përvojë. Ata i blenë aksione “falë”. Për ta kjo kohë ishte “black Friday” i aksioneve, si në shumë raste përgjatë historisë së bursës.

Lëvizjet e çmimit të stokut të S&P 500

Shumat e mëdha që këta investitorë i futën në treg të kapitalit së bashku me paratë e tepërta në duart e investitorëve të rinj, të papërvojë në treg i dhanë vrull rritjes në çmimeve të aksioneve. Tash dy vite pas kësaj ngjarjeje qeveria amerikane dhe FED-i po përballen me pasojat e veprimeve të veta, me inflacionin që ka dalë jashtë kontrollit. Ndërsa investitorët po përballen me atë që po duket të jetë treg ariu, vlera e investimeve të tyre vazhdimisht po bie.

Shkurt investimi pa njohuri të thellë të tregut dhe pa analizë themelore të kompanisë është bixhoz. Pastaj është plotësisht çështje fati a humb apo fiton.

Me shumë ngurrim, megjithatë e pranojnë edhe investitorët më të suksesshëm dhe më me përvojë se nuk ka një metodologji të përkryer që garanton se investimi në tregjet të kapitalit do të sigorojë gjithmonë kthim pozitiv.

Volumi i transaksioneve dhe numri i aksioneve që blihen/shiten janë vështirë të parashikueshme, edhe nëse i merr parasysh të gjitha elementet që shërbejnë si indikator se në çfarë drejtimi do të shkojë çmimi i tyre.

Prandaj sa herë që merr vendim për investim, nese nuk beni analzimet e investimit, atëhere patjetër të përcillet me një “paç fat!”

 

 

autori i shkrimit : arben@thejournalbiz.com
edituar nga : arsim@thejorunalbiz.com