Login

Lost your password?
Don't have an account? Sign Up

 Faktorët kryesor për investime strategjike

beni

Opinion nga A.Selimi ( arben@thejournalbiz.com)
Kontriboj  A. Ajeti (arsim@thejournalbiz.com)

Investitorët presin kthime nga investimi i tyre – qoftë në aksione, obligacione apo ndonjë investim tjetër – por çdo investim shoqërohet me një shkallë të caktuar pasigurie pasi kthimi është një element i së ardhmes dhe askush nuk mund ta parashikojë të ardhmen!

Shumë investitorë mbështeten në performancën e kaluar të aksioneve, ata identifikojnë një aksion me rritje të qëndrueshme të moderuar (ose të jashtëzakonshme) të çmimit dhe e bazojnë vendimin e tyre për investim, shumë shpesh, vetëm në këtë element, e ndoshta aty-këtu edhe në artikujt që lexojnë për ndonjë aksion të “fortë”. Investimi në këtë mënyrë është mjaft i rrezikshëm sepse nuk garanton kthim pozitiv, në fakt mund të çojë në një humbje totale të investimit. Njerëzit që aplikojnë qasje të tillë në investim janë duke luajtur kumar me paratë e tyre.

Profesionistët në komunitetin e investimeve zakonisht përdorin qasjen që quhet “investim në vlerë” kur vendosin për investimet e tyre. Bazuar në këtë qasje, çdo instrument investimi, qoftë aksion i zakonshëm, obligacion, patundshmëri apo ndonjë tjetër instrument, ka një vlerë të brendshme që mund të përcaktohet duke analizuar me kujdes gjendjen aktuale dhe perspektivat e ardhshme të kompanisë që e përfaqëson instrumenti i investimit. Sa herë që çmimi i tregut i instrumentit bie nën vlerën e brendshme, investitori duhet të blejë menjëherë sapo të shfaqet mundësia, sepse kjo rënie eventualisht do të korrigjohet. Dhe sa herë që çmimi i tregut i instrumentit rritet mbi vlerën e brendshme, investitori duhet të shfrytëzojë mundësinë dhe të shesë investimin dhe në këtë mënyrë të korrë fitime të mira.

Investimi është thjesht krahasim i çmimit aktual të tregut të kompanisë në njërën anë, me vlerën e saj të brendshme, në anën tjetër. Kjo do të thotë që investitori profesionist do të marrë në konsideratë vlerën e tregut të kompanisë dhe do ta krahasojë atë me vlerën e saj kontabël dhe do të shohë nëse është janë të barabarta, njëra është më e madhe apo më e vogël se tjetra.

Kur të dyja janë të barabarta, kjo do të thotë se aksionet e kompanisë nuk janë as të mbiçmuara dhe as të nënçmuara, gjë që është një dukuri e rrallë. Shumica e aksioneve janë të mbiçmuara, d.m.th., vlera e brendshme e kompanisë është më e ulët se vlera e saj e tregut. Në raste tepër të rralla mund të gjendet ndonjë kompani aksionet e së cilës janë të nënçmuara.

Pasi të keni bërë analizën dhe të keni përcaktuar se cili është hendeku midis vlerës së tregut dhe vlerës së brendshme, atëherë jeni afer një vendimi për investim.

Tweet analiza mbi ndryshimet ne tregun valutor nderkombtar 

*Tregu valutave ka hyre ne nje paqendurshmeri te madhe 

Patjetër duhet ta kuptoni këtë qasje investimi në mënyrë që të jeni në gjendje të merrni vendime të arsyeshme investimi. Kjo qasje gjithashtu është parakusht për t’ju ruajtur nga humbja e parave tuaja.

Megjithatë, me normën aktuale të lartë të inflacionit, ju si investitor duhet të merrni parasysh patjetër edhe normën e inflacionit, pasi që pa të krahasimet nuk do të ishin të sakta. Bilancet e viteve të mëparshme tregojnë regjistrime/të dhëna historike që nuk përputhen me metrikën aktuale – dollarin. Një dollar i një viti më parë nuk ka të njëjtën vlerë me dollarin e sotëm.

Le të themi se keni investuar 1,000 dollarë në tregun e kapitalit një vit më parë, dhe se norma e inflacionit është 10% nga viti në vit. Nëse çmimi i aksioneve tuaja nuk është rritur, atëherë sot ato 1,000 dollarë mund t’ju blejnë vetëm 900 dollarë mallra. Inflacioni ua ka fshirë 10% të vlerës së investimit tuaj. Pra, për të përcaktuar nëse investimi juaj ishte i vlefshëm, duhet ta përshtateni investimin për inflacion, që do të thotë se investimi juaj duhet të jetë së paku 1,100 dollarë vetëm për të ruajtur vlerën fillestare të investimit. Çfarëdo që shkon përtej 1,100 dollarë përbën fitim në investimin tuaj.

Ekziston një element tjetër në këtë ekuacion që mund të kompensojë efektin e inflacionit – të paktën për ata që përdorin euron si monedhë kur investojnë – dhe ai është kursi i këmbimit të dollarit kundrejt euros. Dollari është forcuar në raport me euron gjatë vitit të kaluar dhe aktualisht po tregtohet 1:1, ndërsa rreth një vit më parë tregtohej me më pak se 1.20 me 1 Kjo përbën një rritje prej 20% të dollarit kundrejt euros, që do të thotë se kushdo që ka konvertuar eurot në dollarë për të blerë aksione një vit më parë dhe tani dëshiron ta shesë ato aksione, do të marrë një fitim prej 20% vetëm për shkak të kursit të këmbimit.

Tabela mbi rritjen e dollarit kundrejt euros

Dollari sfidon dhe tejkalon euron  (*per here te pare  ne 20 vite) tabela nga Newsweek/Statista

Përveç kësaj, nëse çmimi i shitjes së aksionit është më i lartë se çmimi i blerjes së tij, fitimi do të jetë i dyanshëm

Forcimi i dollarit kundrejt euros ka pasur efekt pozitiv për të gjithë investitorët që kanë blerë dollarë me eurot e tyre, por edhe me valuta tjera, si Yeni japonez, Yuani kinez, dhe funta Britanike. Ky forcim i dollarit për investitorët që kanë konvertuar valutat si këto në dollar, ka shërbyer si mbrojtje e mirë kundër inflacionit global.

Duke pasur parasysh këto që u thanë, investitorët duhet të ushtrojnë kujdesin e duhur, të marrin parasysh të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në vlerën e investimit të tyre dhe të zgjedhin me mençuri se ku do t’i vendosin paratë e tyre.

 

@thejournalbiz
Opinion nga Arben@thejournalbiz.com
Kontriboj dhe editoi Arsim@thejournalbiz.com